Moti i ftohtë përfaqëson një nga faktorët më sfidues për shëndetin e lëkurës. Temperaturat e ulëta, era, lagështia e reduktuar e ajrit dhe ndryshimet e shpeshta termike midis ambienteve të jashtme dhe atyre të brendshme ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin normal të lëkurës, duke dëmtuar barrierën epidermale dhe duke rritur ndjeshmërinë kutane. Në praktikën klinike dermatologjike dhe estetike, gjatë muajve të dimrit vërehet një rritje e rasteve me thatësi të theksuar, irritime dhe përkeqësim të sëmundjeve kronike të lëkurës.
Ndikimi i Motit të Ftohtë në Barrierën Epidermale.
Barriera epidermale ka funksion mbrojtës dhe rregullon humbjen transepidermale të ujit (TEWL). Në kushtet e të ftohtit ulet prodhimi i lipideve fiziologjike, prishet filmi hidrolipidik, rritet dehidratimi dhe depërtimi i faktorëve irritues. Si pasojë, lëkura humbet elasticitetin, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e saj për t’u vetëmbrojtur. Simptomat më të shpeshta të lëkurës gjatë dimrit janë thatësi dhe ndjesi shtrëngimi; skuqje dhe ndjeshmëri e shtuar; deskuamim dhe plasaritje sipërfaqësore; kruarje dhe ndjesi djegieje; zbehje e tonit dhe humbje e shkëlqimit natyral. Këto shenja janë indikatorë të qartë të një barriere epidermale të komprometuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dermokozmetike.
Shkaqet kryesore të dëmtimit të lëkurës:
▪︎ Temperaturat e ulëta dhe era e fortë.
▪︎ Lagështia e ulët e ajrit.
▪︎ Ngrohja artificiale e ambienteve.
▪︎ Pastrimi agresiv dhe përdorimi i produkteve jo të përshtatshme për sezonin e ftohtë.
▪︎ Mungesa e hidratimit të duhur.
Një problem të mprehtë janë edhe patologjitë dermatologjike të cilat
përkeqësohen në dimër. Gjatë muajve të ftohtë shpesh përkeqësohen:
▪︎ Dermatiti atopik – me episode më të shpeshta kruarje dhe inflamacioni.
▪︎ Rosacea – skuqje e theksuar dhe ndjeshmëri vaskulare.
▪︎ Psoriasis – rritje e thatësisë dhe e pllakave psoriatike.
▪︎ Dermatiti seborrheik – veçanërisht në zonat e fytyrës dhe skalpit.
Moti i ftohtë vepron si faktor agravues, duke e bërë të domosdoshëm menaxhimin profesional dhe të personalizuar. Kujdesi i duhur i lëkurës gjatë dimrit konsiston në:
▪︎ Pastrim i kontrolluar. Rekomandohen pastrues të butë, pa detergjentë agresivë, me pH fiziologjik, duke shmangur ujin shumë të nxehtë që dëmton më tej barrierën kutane.
▪︎ Rivendosja e barrierës epidermale. Produktet duhet të përmbajnë ceramide, kolesterol dhe acide yndyrore për rindërtimin e barrierës epidermale.
▪︎ Niacinamidi për forcim dhe reduktim të inflamacionit.
▪︎ Panthenol dhe allantoin për efekt qetësues dhe riparues.
▪︎ Hidratim intensiv – përdorimi i përbërësve humektantë si acidi hialuronik, glicerina dhe urea në përqindje të kontrolluara ndihmon në ruajtjen e hidratimit afatgjatë.
▪︎ Mbrojtje prej rrezeve UV – kremra me teksturë më të pasur dhe aplikimi i fotombrojtjes edhe gjatë dimrit janë thelbësore, veçanërisht pas procedurave estetike dhe në lëkurat sensibile.
▪︎ Kujdes profesional i personalizuar
Trajtimet dermo-estetike qetësuese, rigjeneruese dhe protokollet e ndërtuara sipas tipologjisë së lëkurës ndihmojnë në parandalimin e komplikacioneve dhe në ruajtjen e shëndetit të lëkurës gjatë gjithë sezonit të ftohtë.
Mbrojtja e lëkurës në dimër nuk është vetëm një çështje estetike, por një domosdoshmëri mjekësore. Një barrierë epidermale e shëndetshme është baza e një lëkure rezistente, funksionale dhe vizualisht të ekuilibruar. Kujdesi korrekt, i kombinuar me ndjekje profesionale, garanton mirëqenie dhe rezultate afatgjata për shëndetin e lëkurës.







